Youth initiative for human rights

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut - Kosovë

Arkivi

YIHR kërkon monument për të pagjeturit

Burimi: KOHA.net

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) ka kërkuar nga institucionet e Kosovës ngritjen e një monumenti në Prishtinë me emrat e të gjithë të pagjeturve të luftës së Kosovës. Kjo kërkesë e YIHR-së ka ardhur një ditë pas largimit të murit me emrat e të gjithë personave të pagjetur në Kosovë, i cili qe vendosur muajin e kaluar në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Drejtoresha ekzekutive e YIHR-së, Rabë Gjoshi, ia ka treguar të dielën gazetës idenë e organizatës së saj për institucionet e Kosovës. “Ftojmë institucionet e Kosovës dhe Kuvendin Komunal të Prishtinës që të bëjnë ngritjen e një monumenti me emrat e të gjithë të pagjeturve të luftës së Kosovës, në mënyrë që viktimave t’u kthehet dinjiteti dhe familjarëve të shoqërisë t’u krijohet një vend përkujtimi”, ka apeluar Gjoshi. “Por nuk mjafton vetëm kjo, edhe më esenciale është përkushtimi për vendosjen e drejtësisë për të gjitha viktimat, të cilën gjë e kërkojmë edhe më fuqishëm”.
Drejtoresha e YIHR-së ka treguar edhe arsyet pse organizata e saj ka larguar këtë të shtunë murin me emrat e të pagjeturve të vendosur muajin e kaluar. “Fillimisht planifikuam që murin të mos e largojmë derisa të mos na kërkohej një gjë e tillë, sepse dëshironim që ai të improvizonte memorialin kolektiv të munguar në Kosovë”, ka thënë ajo. “Por duke qenë se muri u ndërtua në mungesë të planifikimit për qëndrim të gjatë dhe si i tillë mund të rrezikonte jetën e qytetarëve dhe pas dëmtimit të pariparueshëm nga persona të papërgjegjshëm, vendosëm që atë ta largojmë edhe pse e ndërtuam me shumë vullnet, përkushtim dhe vendosmëri”. Këtë javë murit me emrat e të gjithë personave të pagjetur në Kosovë të vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti” i ishin shlyer emrat e të pagjeturve serbë nga një organizim i quajtur “Rruga jonë”, i cili për Policinë e Kosovës është i panjohur.
Aktin e fshirjes së emrave të të pagjeturve serbë pos YIHR-së e ka dënuar edhe KMDLNJ-ja.