Youth initiative for human rights

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut - Kosovë

Arkivi

YIHR-ja e cilëson diskriminim etnik fshirjen e emrave të të pagjeturve serbë

Burimi: KOHA.net

Prishtinë, 8 maj – “Është diskriminim etnik i të pagjeturve”. Ky ka qenë përshkrimi që i ka bërë Rabë Gjoshi fshirjes së emrave të të pagjeturve serbë në murin me emrat e të gjithë personave të pagjetur në Kosovë që nga koha e luftës, i referuar në listën e të pagjeturve të Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, të miratuar edhe nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur e i vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë – YIHR - dhe aktivistët e Nisma Ime, më 27 prill, në Ditën e Personave të Pagjetur në Kosovë.
Drejtoresha ekzekutive e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë – YIHR, Rabë Gjoshi, ka treguar të shtunën për Kohën Ditore se fshirjen e emrave të të pagjeturve serbë në murin e ngritur nga organizata e saj e kanë bërë persona të panjohur për ta, por që diku aty afër murit e kanë shkruar emrin e organizmit që pretendojnë se i takojnë të njohur si “Rruga jonë”.
Fshirjen e emrave të të pagjeturve serbë, Gjoshi e ka parë akt krejtësisht të paarsyeshëm. “Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, megjithëse është e vetëdijshme për ndjeshmërinë e kësaj çështjeje për shoqërinë kosovare në përgjithësi dhe familjarët e viktimave në veçanti, e dënon këtë akt dhe përkujton se veprime të tilla cenojnë dinjitetin e viktimave dhe nuk kontribuojnë në zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë për viktimat dhe familjarët e tyre”, ka thënë ajo. “Nisma, gjithashtu përkujton se institucionet e Kosovës e kanë për obligim të përkushtohen për zbardhjen e fatit të të gjithë të pagjeturve pavarësisht etnisë së tyre. Ndërkohë që vendosja e drejtësisë dhe dënimi i përgjegjësve të krimeve të luftës mbetet përgjegjësi e gjykatave të cilat duhet të gëzojnë përkrahje të fuqishme nga institucionet relevante dhe shoqëria kosovare, në mënyrë që të gjithë familjarëve t’u përmbushet e drejta për të ditur për fatin e më të dashurve të tyre, e drejta për të vërtetën dhe e drejta për drejtësi”.
Fshirjen e emrave të të pagjeturve serbë e ka dënuar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut. Drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, i ka thënë Kohës ditore se ky është akt i papranueshëm dhe johuman dhe për të cilin duhet reaguar të gjithë. “Një akt i tillë duhet të jetë i dënueshëm edhe për institucionet vendore dhe ndërkombëtare. KMDLNJ-ja shprehet qartë pa marrë parasysh nacionalitetin, personat e pagjetur duhen trajtuar njësoj. Gjithashtu, familjet e këtyre personave duhen trajtuar njësoj. Rastet e tyre janë raste humanitare dhe duhen gjetur mënyra për zbardhjen e fatit të tyre”, ka thënë Shala.
(Më gjerësisht sot në gazetën Koha Ditore)